Tani çdo javë do ulemi këtu

Tani çdo javë do ulemi këtu

Përshëndetje vajza! Po takohemi së bashku në një formë që nuk e kisha menduar ndonjëherë. Kam qenë gjithmonë e bindur se këshillat e mia për nuset e ardhshme ishin të vlefshme vetëm në një formë: një takim konkret në ambientet e “Geraldina Sposa”-s, kur një vajzë në prag martese vesh fustanin e nusërise dhe pasi shihet në pasqyrë, kthehet dhe më pyet: “Ti Marçela, si mendon?”. Kjo pyetje të bën të jesh dyfish më e përgjegjshme për atë që do të thuash, sepse nuk ke një mundësi të dytë me vajzën që ke përballë. Ajo martohet veç një herë (kështu thuhet zakonisht 🙂 dhe ti duhet të jesh e pagabueshme në atë që thua dhe rekomandon. Të them të drejtën, edhe pas insistimit të mikeshave të mia të afërta (disa prej tyre pjesë e fushës së gazetarisë), isha gjithmonë skeptike. Kishte raste që pasi isha e ftuar në emisione televizive për të folur për punën e rishihja veten në Youtube dhe gjendesha duke e kaluar veten në lupë, por të paktën për një gjë bija dakord: flisja me lehtësi për punën time. Me të njëjtën lehtësi siç e gjeta veten duke kaluar nga përdorimi i rrjeteve sociale për hobby, në një punë të mirëfilltë. Pasi përfundoja punën time të përditshme tek “Geraldina”, kisha një turn të tretë, ku më duhej t’u ktheja përgjigje shumë vajzave në Facebook dhe Instagram, të cilat kërkonin këshilla për veshjen e nusërisë, për t’u paraqitur sa më mirë në dasmën e motrës apo shoqes, etj. Në sinkron me këtë erdhën propozimet në kohë të ndryshme për dy realty show, të lidhura drejtpërdrejt me punën që unë bëj: “Lufta e nuseve” (sezoni i parë në TV Klan) dhe “Fustani i ëndrrave” (një bashkëpunim frytdhënës me Orinda Hutën, në Vizion Plus). Nga këtu kuptova që profesionalisht po jetoja si struci (e njihni historine e strucit?). Mendova që kishte ardhur momenti që të bëja një blog, për të ndihmuar sadopak me këshillat e mia. Nuk do të doja kurresesi të më shihnit si “ajo Marçela që jep mend”: dua thjesht të ndaj me një publik më të gjerë sesa klientet e mia përvojën në 22 vjet me “Geraldinën”. Uroj t’ju jem e vlefshme :). Blogun vendosa ta quaj ”Në rresht të parë”, por mikja ime gazetare, Iva Tiço, e marketoi pakëz, duke e quajtur “The front row”. Përse në rresht të parë?! Në rresht të parë, sepse “Geraldina” është në rresht të parë, duke qenë i pari sallon nusërie në të gjithë Shqipërinë. Ishte aq shumë në rresht të parë, saqë kur u hap në 3 qershor 1995 dhe u desh të regjistrohej në zyrat e tatim-taksave të asaj kohe, nuk dinin ku ta kategorizonin si biznes dhe me zor të madh vendosën ta rendisnin tek shërbimet e këpucarisë, pastrimit kimik, rrobaqepësisë. Në rresht të parë, sepse “Geraldina” është e para që vendosi standarde në perceptimin e dasmave, Në kohën kur dasmat vlerësoheshin nga sasia e mishit në pjatë, “Geraldina” solli konceptin e dekorit dhe të dasmave hollivudiane, si nëpër skenat që ishin parë veç në filma. Në rresht të parë, sepse kur të gjitha nuset kërkonin të vishnin një fustan të fryrë bust dhe shkumë të bardhë, siç i ofronte gjithë tregu, ne sollëm ngjyrat, mëngët, fustanet e ngushtë pas trupit. Në rresht të parë, sepse nusja e parë në Tiranë me një fustan mini, frymëzuar nga e famshmja “November rain” e Guns&Roses, doli pikërisht nga ne, vite më parë. Në rresht të parë, sepse krijuam të parët “rreshtin e parë” në eventin tonë të përvitshëm në sfilatën e “Geraldina Sposa”, ku tradita nisi me vajzat e ekraneve, që kishin më shumë vizibilitet në media dhe përfundoi duke krijuar status simbolin e rreshtit të parë. Në rresht të parë, sepse krijuam të parët koleksionin shqiptar që mban emrin “Geraldina”, bazuar në kërkesat e nuseve shqiptare, duke plotësuar ëndrrat e tyre. Në rresht të pare, sepse me çdo vajzë në sallon kam vëmendjen e një nxënësi shkolle në bankë të parë, për të mësuar akoma nga çdo kliente të cilës i shërbej. Në rresht të parë, sepse edhe unë vetë nxitoj të ulem në rreshtat e parë të sfilatave nëpër botë, nga ku përzgjedh dhe sjell trendet më të reja në veshjet e nusërisë dhe mbrëmjes. Edhe pse arsyeja e vërtetë përse ulem në rresht të parë në këtë rast është thjesht për t’i parë nga shumë afër modelet që do të përzgjedh, duke mos lënë të më me shpëtojë asgjë nga detajet e fustaneve tek sfilojnë. Për këtë rresht të parë vendosa dhe unë të shkruaj rreshtat e mi të parë. Lexohemi së shpejti :).

POSTIMET E FUNDIT

KATEGORITE

Share :