Sa herë që një nuse me viziton në sallon dhe i drejtoj pyetjen “si e ke imagjinuar fustanin tënd të nusërisë?” i druhem shumë përgjigjes “stil princeshe”. Ah, këto princeshat me të cilat jemi rritur, Hirushja apo Borëbardha… të paktën të zgjidhnit Frozenin o goca, që e ka fustanin me një fryrje më të natyrshme, por e keqja është se në moshën kur keni njohur ekzistencën e Frozen, o jeni bërë nëna dhe shihni filmat e Disney-t bashkë me vajzat tuaja, ose jeni shumë të rritura për të ëndërruar.
Megjithatë, tek mendoj riprodhimin e filmit Cinderella, të cilin e prita me shpresën e një tjetër imazhi princeshe, dorëzohem para asaj dekolteje dhe e vetmja gjë për të cilën nuk bie dakord është fryrja. Ah kjo fryrja…!
Kjo fryrja që juve ju bën të buzëqeshni kur dilni nga dhoma e provës dhe që në hapat e parë drejt pasqyrës ju e ndjeni pushtetin e madhështisë së saj. Kur keni veshur një fustan me atë fryrje, ju ecni të sigurta, për çudi edhe shpinën e mbani drejt, pavarësisht peshës që ai fustan mbart. Siguri që nuk e përçoni kur vishni një fustan të drejtë, që ju kornizon linjat edhe kur ato janë aq të bukura e të rregullta sa të lënë pa frymë. Janë të shumta vajzat që, pavarësisht linjave të tyre të përkryera, zgjedhin të veshin një fustan me fryrje princeshe, duke i fshehur në këtë mënyrë linjat e tyre, që sipas mendimit tim, duhen nxjerrë në pah. Nëse duhet të bëjmë një diskutim se si duhet ta zgjedhim një fustan nusërie, duhet t’ju jap pak informacion. Nëse je një vajzë shtatlartë e me trup e forma të rregullta, gjëja e fundit që duhet të mendosh është një fustan i fryrë. Fustanet e fryrë janë të përshtatshëm për vajza me gjatësi mesatare. Fryrja ndihmon vizualisht të dukesh më e gjatë, falë distancës që krijohet me partnerin dhe të ftuarit, për shkak të gjerësisë së fustanit. Kurora e lartë dhe një krehje më e lartë se kurora ndihmojnë gjithashtu në zgjatjen e figurës së nuses.
Edhe pse shpesh stili princeshë duket sikur është i duhuri për cdo vajzë, më të favorizuarat nga ky model janë vajzat me vithe të gjera dhe bel të ngushtë, që me këtë model mund të nxjerrin në pah pikat e tyre të forta dhe të fshehin gjërësinë e vitheve dhe jo vetëm. Është model i përshtatshëm edhe për të nxjerrë në pah dekoltenë, që zakonisht paraqitet e thellë në modelet stil princeshe (edhe pse princeshat e vërteta nuk e ekzagjerojnë me dekoltenë). Megjithatë do thënë që stili princeshë nuk perëndon kurrë, nuk del kurrë nga moda, por nuk është kurrë fort në modë, edhe pse, për arsyen e parë, në sfilatat e të mëdhenjve të modës do ta gjejmë gjithmonë një fustan me fund të fryrë, të pasur me qëndisma dhe dantella të çmuara, për ato nuse që duan të ndihen vërtet princesha, Por të gjitha këto të bëjnë vallë të dukesh si princeshë? Le të shohim princeshat e vërteta. Lady Diana, për shembull, ishte ndër të fundit princesha që përdori një fustan të fryrë.
Princeshat e kohëve moderne zgjedhin gjithmonë të jenë midis, asnjëherë shumë sexy, asnjeherë shumë kukull. Këtu mund të sjellim ndërmend Kate Middelton apo Princeshën Victoria të Suedisë.
Por ne nuk jetojmë as në Angli e as në Suedi. Ne jemi mesdhetarë dhe duam të biem në sy, duam të jetojmë përrallën, që mbase nuk e kemi në përditshmërinë tonë, duam të ndihemi si ato princeshat e përrallave dhe jo si ato princeshat e vërteta, të cilat jo të gjitha kanë pasur fund të lumtur. E për sa kohë ai fustani i fryrë të bën të buzeqeshësh kur del nga dhoma e provës, edhe unë them bashkë me nusen ‘’Në djall të vejë “SI DUHET”! Të paktën një herë në jetë do ta bëj “SI DUA”.
Tashmë e ke zgjedhur këtë fustan të mrekullueshëm me fryrje princeshe, imponues por të rëndë dhe jo komod, nga i cili nuk do të hiqje dorë për asgjë në botë. Është i vetmi që të bën të ndihesh nuse, por megjithatë ke frikën që pas pak, pasi e ke veshur, nuk do ta menaxhoje dot? Atëherë të këshilloj të planifikosh patjetër një buxhet për një tjetër fustan, më pak formal dhe me të lehtë, për ta pasur veshur në pjesën e dytë të festës dhe ta marrësh pogonishten shtruar, siç i ka lezet një nuseje 🙂 Lexohemi javën e ardhshme!