logo

Rudina Magjistari: Ndjesitë e fustanit të bardhë

rudinamagjistari-560x373

Rudina Magjistari, prezantuesja e dashur e ekraneve shqiptare, ka përjetuar këtë javë emocione të veçanta, ndërsa është gjendur për herë të parë nën petkat e nusërisë. E zgjedhur nga stafi i “Geraldina Sposa”-s si personazhi që do të mbyllte këtë vit sfilatën me fustanet e reja të nusërisë, Rudina ia doli të sfilonte mbi pasarelë me sigurinë e një modeleje. Lidhur me këtë eksperiencë, por edhe me faktin në e imagjinon ose jo Rudina veten me të bardha, ‘nusja e nderit’ rrëfen për faqet e “Bluetooth” detajet…
Cilat ishin ndjesitë që ju shoqëruan në këtë eksperiencë si ‘nuse nderi’ tek “Geraldina Sposa”? Ishte bukur?
Ishte një përvojë tërësisht ndryshe dhe padiskutim në atë sfilatë të “Geraldina Sposa”-s të shndërruar tashmë në traditë, u ndjeva vërtet mirë. Në pamje të parë duket e lehtë të sfilosh, por s’ishte aspak kështu të menaxhoje një fustan aq të madh, me një vello madhështore, aq më tepër kur duhej të rrotulloheshe (buzëqesh). Por momenti kur ecja në pasarelën shumë pak të ndriçuar, nën ritmin e rrahjeve të zemrës që kumbonte në sallë, teksa ndjeja kuriozitetin e të ftuarve për të mësuar se cila ishte e ftuara e nderit e sfilatës, ndriçimi që shtohej dalëngadalë, pëshpërimat që u kthyen në një reagim të bukur që mbushi sallën dhe që kulmoi menjëherë me hapjen totale të dritave nën refrenin e famshëm “You’re simply the best” të Tina Turner, ishte i mrekullueshëm. Mendova që do kishte qenë thjesht një përvojë argëtuese, por ishte edhe shumë elektrizuese.
Besoj se edhe ju, si të gjitha vajzat, në fëmijëri e keni ëndërruar veten me fustanin e bardhë. Si u ndjetë kur e patë veten nën të?
Bukur, por ca i rëndë (buzëqesh).
Është kjo një ëndërr e realizuar për Rudinën?
Me thënë të drejtën, jo vetëm që s’e kisha ëndërruar, por as menduar se ndonjëherë do sfiloja në një pasarelë të vërtetë me fustan nusesh.
Duke lënë pas sfilatën, e mendoni veten të veshur nuse prej vërteti?
Pse jo (buzëqesh).
Jeni pro apo kundra martesës-dasmës, si koncepte apo si zakone të shqiptarëve?
Mendoj që është një traditë shumë e bukur, aq më tepër për pasurinë e ritualeve karakteristike që ajo ruan. Por gjithsesi, është shumë personale se si zgjedh secili ta organizojë atë.
Duke qenë se jemi tek martesa, të flasim pak për dashurinë. Pak kohë më parë, në një intervistë për “Bluetooth” jeni shprehur se ‘dashuria, është një mungesë që do doja të më përmbushej’. A është përmbushur sot? A ka Rudina dikë në krah?
Jam e përmbushur me emocione pafund, me të cilat dita ime, jeta ime është shumë e pasur, dhe ndjehem shumë mirë shpirtërisht.
Dhe si përfundim Rudina-nënë. Sa fëmijë ëndërroni të keni dhe si e mendoni veten nënë? Do të lini gjithçka për të qenë në krye të familjes, për të gatuar e për t’u kujdesur gjatë gjithë kohës për të vegjlit dhe bashkëshortin, apo do të vazhdoni me karrierën, programet, aq shumë të suksesshme…
Wow! Nga një fustan sfilate, dolëm tek të vegjlit. Si thua sikur t’i shtyjmë për intervistën tjetër?/people.al

  • Share

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *